Republika e Maqedonisë ka sistem mediatik dual, që përbëhet nga radiodifuzioni publik dhe nga radiodifuzioni komercial. Do të thotë, krahas servisit publik, veprimtari radiodifuzive kryejnë edhe të ashtuquajturat shoqata radiodifuzive tregtare (apo sigurues komercialë të përmbajtjeve audio-vizive), si dhe institucionet radiodifuzive jopërfituese.
Struktura e industrisë radiodifuzive
Funksionet e servisit radiodifuziv publik i kryen Radiotelevizioni Maqedonas (RTM). Ai punon sipas mënyrës dhe kushteve të përcaktuara në Ligjin për veprimtari radiodifuzive (“Gazeta zyrtare e RM” nr. 100/2005 dhe 19/2007) dhe lejen për të kryer veprimtarinë radiodifuzive e merr me atë ligj.

Figura 1:Emetim programi nga studioja TV
Shoqatat radiodifuzive tregtare mund të themelohen nga persona juridikë dhe fizikë sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin për veprimtari radiodifuzive dhe në ligje të tjera, ndërkaq lejen për të kryer veprimtarinë radiodifuzive e jep Këshilli i Radiodifuzionit (KRD). Gjithashtu, Ligji për veprimtari radiodifuzive mundëson edhe themelimin e institucioneve radiodifuzive jopërfituese. Ato mund t’i themelojnë institucionet, shoqatat dhe fondacionet arsimore, kulturore e të tjera, me qëllim që të kënaqen nevojat dhe interesat e grupeve me targetim specifik, siç janë, për shembull, radiot universitare.

Figura 2: Emetim programi nga studioja e radios
Në segmentin publik dhe privat të televizionit në Maqedoni bashkësitë etnike joshumicë kanë media në gjuhët e tyre. Ka programe në gjuhën shqipe, boshnjake, rome, turke, serbe dhe kroate.
Platforma për transmetimin e programeve të siguruesve të shërbimeve mediatike audio-vizive
Transmetimi i programeve në Republikën e Maqedonisë kryhet përmes gjashtë rrjeteve analoge terrestriale të radios dhe tetë rrjeteve radiodifuzive televizive për transmetimin e programeve të radiopërhapësve publikë e privat. Operator publik për transmetimin e programeve të radios e të televizionit është ndërmarrja publike “Radiodifuzioni Maqedonas – Shkup” (RDM).
Në dallim nga servisi publik, radiopërhapësit komercialë kanë në dispozicion rrjete të veta radiodifuzive analoge, përkatësisht më shpesh vetë i transmetojnë serviset e tyre programore. Riemetim të tyre bëjnë edhe operatorë të tjerë të rrjeteve komunikuese publike në më shumë platforma teknike, siç është kablloja (riemetim analog dhe digjital - DVB-C), IPTV (televizion përmes protokollit internet), rrjetet tokësore digjitale pa tel (DVB-T), rrjetet satelitore (DVB-Sх), si dhe përmes disa operatorëve UMTS mobilë.

Figura 3: Transmetim i TV-përmbajtjeve përmes rrjetit mobil UMTS